Secondary Adv

BSH: Pasojat e krizës në Lindjen e Mesme mund të jenë të ngjashme me konfliktin në Ukrainë

Rrezikohet rritje inflacioni dhe frenim i ekonomisë në varësi të zhvillimeve gjeopolitike.

Konflikti në Lindjen e Mesme dhe rritja e tensioneve gjeopolitike mund të kthehen në një goditje negative për ekonominë shqiptare, paralajmëron Banka e Shqipërisë në raportin e saj të politikës monetare për tremujorin e parë të vitit. Sipas analizës, nëse kriza zgjatet dhe përshkallëzohet, efektet mund të jenë të ngjashme me ato që pasuan konfliktin në Ukrainë në vitin 2022, duke sjellë rritje të inflacionit dhe ngadalësim të aktivitetit ekonomik.

 

Raporti evidenton se inflacioni në vend ka mbetur relativisht i ulët gjatë muajve të fundit, duke qëndruar pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë. Ai u regjistrua në 2.2 për qind në tremujorin e katërt të vitit 2025 dhe u rrit në 2.4 për qind gjatë dy muajve të parë të vitit 2026.

 

Faktorët që po ndikojnë inflacionin

Rritja e fundit e inflacionit lidhet kryesisht me shtrenjtimin e disa produkteve ushqimore, rritjen e çmimeve të qirave dhe zhdukjen e efektit të uljes së çmimit të energjisë që u regjistrua një vit më parë. Megjithatë, struktura e inflacionit mbetet relativisht e qëndrueshme, me çmimet e ushqimeve në nivele historikisht të ulëta, ndërsa çmimet e karburanteve dhe disa shërbimeve po shfaqin tendencë rritëse.

 

Sipas Bankës së Shqipërisë, inflacioni është ndikuar nga një kombinim faktorësh të brendshëm dhe të jashtëm. Nga njëra anë, kërkesa e qëndrueshme për mallra dhe shërbime, rritja e pagave dhe kostot e prodhimit po ushqejnë presione të brendshme inflacioniste. Nga ana tjetër, presionet e importuara mbeten të ulëta, të ndikuara nga çmimet në tregjet ndërkombëtare dhe forcimi i Lekut.

 

Rreziku nga rritja e çmimeve të naftës

Banka e Shqipërisë thekson se përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme dhe rritja e çmimeve të naftës mund të sjellin një valë të re inflacioni, duke ndryshuar balancën aktuale të faktorëve që ndikojnë çmimet në ekonomi.

 

Kjo situatë kërkon vëmendje të shtuar, pasi mund të ndikojë drejtpërdrejt në kostot e prodhimit dhe në çmimet e konsumit, duke krijuar presione të reja mbi ekonominë shqiptare.

 

Qëndrimi i politikës monetare

Pas mbledhjes së fundit, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë theksoi se vendimmarrja për politikën monetare do të vijojë të bazohet në analizën e të dhënave më të fundit dhe në vlerësimin e rreziqeve.

 

Institucioni deklaron se do të monitorojë nga afër zhvillimet dhe do të jetë i gatshëm të ndërhyjë me masat e nevojshme për të garantuar stabilitetin monetar dhe financiar të vendit, në varësi të ecurisë së inflacionit dhe faktorëve të jashtëm.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat